Apolonia nuk e dramatizon humbjen

Fierakët janë kthyer me këmbë në tokë, por nuk janë demoralizuar për më tej

Tashmë është mbyllur gjithçka dhe ndeshja e Shkodrës e ka lënë pas shijen e hidhur të humbjes së parë në këtë kampionat për Apoloninë. Fierakët janë sfiduar në “Loro Boriçi” përballë shkodranëve, duke mbetur sërish në kuotën e 4 pikëve. Megjithatë, një humbje me Vllazninë nuk përbën fundin e botës dhe brenda rrjedhës së një kampionati është mëse normale dhe e justifikueshme një humbje e tillë, ndaj një skuadre të tillë. Madje, parë në sensin e rikuperimit të mangësive që u vunë re në këtë takim, kjo humbje duket se ka ardhur në kohën e duhur, për t’i lënë për të kuptuar skuadrës së ky kampionat është i gjatë dhe përbën një garë të vështirë, për të cilën duhet të bësh përgatitjet e duhura drejt përballimit me sukses. Në fund të fundit, në njëfarë mënyre, rrëzimi në Shkodër e ka kthyer Apoloninë me këmbë në tokë, njëherësh duke u kujtuar dhe bilancin se në tri takime kanë provuar shijen e tri rezultateve të ndryshme. “Do të donim të kishim vijuar në rrugën e vazhdimësisë, por, për fat të keq, nuk ia dolëm dot. Vllaznia rezultoi një ekip i fortë, që me të drejtë pretendon. Nga njëra anë, më mirë që humbja erdhi pikërisht në këto momente, pasi kampionati është përpara dhe na shërben për të marrë masat e duhura dhe sa më shpejt. Nuk duhet harruar se jo çdo humbje vjen për të keq, pasi prej saj nxjerr mësimet e duhura, për të mos bërë më të njëjtat gabime në ndeshjet pasardhëse,” – shprehet mbrojtësi i Apolonisë, Norion Spaho. Tre golat e shënuar nga shkodranët janë të parët që porta fierake pëson në këtë kampionat. Me gjithë shifrat në pamje të parë të një rezultati të pastër dhe të arritur pa mundim, Apolonia nuk ka qenë kundërshtare e lehtë për vendësit e Vllaznisë, madje ka luajtur momente të tëra si e barabartë me ta. Kanë qenë kualitetet që Vllaznia ka në përbërje të saj ato që kanë krijuar dhe diferencën mes këtyre skuadrave.
Gjithsesi, duhet theksuar se fierakët kanë marrë “tharmin” e duhur nga kjo humbje dhe tashmë ata janë bërë gati për ta klasifikuar si humbje që ka ndodhur në javën e tretë të kampionatit dhe kanë filluar të mendojnë sërish për javët në vazhdim dhe për rikthimin e rezultateve pozitive në Fier. Dhe sfida e radhës do të sjellë në stadiumin “Loni Papuçiu” një emër tjetër të madh të futbollit shqiptar, shumë herë kampionen e vendit, Tiranën. Kampionati i vërtetë duket se po fillon tani dhe Apolonia më shumë se kurrë duhet të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë.

Lini një koment